Kryeministri Edi Rama ndodhet në një takim elektoral në Lezhë, nga ku tha se në mandatin e ardhshëm synohet që të kemi një një rilindje të industrisë ushtarake.

Rama, ndër të tjera, gjatë fjalës së tij tha se ushtarakët shqiptarë do të jenë më të mirëpaguarit në rajon, ku sipas tij paga mesatare e tyre do të jetë njësoj me ato të ushtrive të NATO-s.

Kryeministri, gjithashtu theksoi se ka nisur puna për rijetëzimin e ushtrisë, ku theksoi se qeveria ka ngritur disa pika investimi për ushtrinë dhe për prodhimin e pajisjeve ushtarake, ku një ndër ta do të jetë në Rubik, ku do të prodhohet me standarde të NATO-s.

“Edhe diçka për mbrojtjen. Këtu jemi tek buxheti i mbrojtjes që e kemi rritur 10-fish. Nga 28 milion ishte ushtria më e keqpaguar, më e keqpajisur dhe zhytur në korrupsion, pasi paguanin njerëzit mijëra Euro për të shkuar edhe në Afganistan, sot kemi ushtrinë më të mirëpaguar të rajonit përfshirë edhe ushtrinë serbe që është ushtria më e fortë në rajon. Në 2030 synojmë që paga mesatare e ushtarakaëve të jetë mesatarja e ushtrive të NATO-s. Është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Ndërkohë kemi filluar punën dhe kemi disa pika ku do të fillojmë investimet për ta rilindur industrinë ushtarake dhe një nga pikat është Rubiku, ku do të kemi një investim shumë të rëndësishëm për prodhime të standardeve shumë të larta të NATO-s”, tha Rama./tvklan.al