“Do të shikoj qiellin dhe do të mendoj për ty”

26-vjeçari shqiptar Jetmir Isufi humbi jetën në një aksident tragjik të ndodhur në Itali mbrëmjen e së enjtes. Dy automjete, Lancia Ypsilon që drejtohej nga ai dhe një Volkswagen Up u përplasën “kokë më kokë” në zonën e Usmate Velate.

Lajmi për vdekjen e të riut ka tronditur familjarët dhe miqtë e tij, të cilët kanë reaguar në rrjetet sociale.

“Më shiko nga lart vëlla. Kërce përmes reve. Do të shikoj qiellin dhe do të mendoj për ty. Më mbro siç ke bërë gjithmonë qysh kur ishim fëmijë. Pusho në paqe Jet. Të dua shumë”, ka shkruar një prej miqve më të afërt.

Jetmir Isufi

Jetmir Isufi jetonte prej vitesh në Merate. Shokët e thërrisnin thjesht Jet. Që në moshë të vogël, ai ishte marrë me hip-hop dhe breakdance, prandaj edhe rrethi i tij shoqëror ishte me persona që ndanin të njëjtat pasione. Prej pak kohësh kishte filluar punë në Arcore. Në momentin e aksidentit tragjik që i mori jetën, Jetmir Isufi po kthehej për në shtëpi.

Ai u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda që kishte pësuar. I lënduar mbeti edhe shoferi 21-vjeçar i makinës tjetër. Sipas mediave italiane, ai është jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al