Kristian Kazazi do të shkonte tek e ëma, por…

Njerëzit në Petritoli të Italisë u tronditën të dielën kur mësuan se një 10-vjeçar kishte humbur jetë në një aksident tragjik. Më vonë, u bë e ditur se në aksident ishte përfshirë edhe një 40-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Bëhej fjalë për babë e bir shqiptarë, që jetonin prej vitesh në Itali. Mediat kanë bërë publike identitetin e viktimës. Ai është Kristian Kazazi. Mediat italiane kanë shkruar se familja e vogëlushit shqiptar gëzonte respekt të madh në zonë.

“Një tragjedi e tmerrshme. Nuk ka fjalë për të komentuar vdekjen e një fëmije që i gjithë komuniteti e njeh dhe e do. Një fëmijë që ka qenë gjithmonë i qeshur, i gëzuar dhe i shoqërueshëm, e që në thelb pasqyron familjen Kazazi. Një familje e mrekullueshme ndaj së cilës komuniteti tashmë i është më pranë se kurrë pas kësaj tragjedie”, është shprehur Luca Pezzani, kryetari i Bashkisë Petritoli.

Babai i Kristianit quhej Toni, e ëma Brunilda si dhe kishte edhe një motër me emrin Klarisa. Mësohet se Kristiani ndodhej në një makinë me babain pasi po shkonin për në restorantin ku punonte nëna e tij. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës të së dielës në një rrugë ku mjeti tip “Fiat Panda” humbi kontrollin. Ata u përplasën me një mur.

Për shkak të impaktit të fortë fëmija ka dalë nga makina, duke pësuar plagë të rënda, aq sa i morën jetën menjëherë. Ndërkohë babai ngeci brenda makinës dhe u desh ndërhyrja e autoriteteve për të bërë të mundur nxjerrjen e tij. Më pas, ai u transportua në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore./tvklan.al