Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndodhet në një takim tek një biznes fasonerie, nga ku prezantoi dhe programin e ‘PD-Shqipëria Madhështore’, për sipërmarrjen me moton ‘Made in Albania’.
Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se do të bëhet një revolucion fiskal ku shtoi se do të transformohet klima e biznesit. Kreu i PD-së u ndal edhe tek rënia e Euros për të cilën u shpreh se garanton se do të kompensohet qindarkë për qindarkë rënia e Euros.
“Ne do bëjmë një revolucion fiskal. Do të transformojmë klimën për biznesin. Kësaj here ne kemi edhe një eksperiencë, dhe me shpejtësi do të vendosim standardet më optimale, më miqësore për biznesin. Për të gjithë eksportet, ne garantojmë së pari një bord që do kompensojë qindarkë për qindarkë rënien e Euros, që është një faktor që dëmton shumë çdo sipërmarrës që prodhon për eksportin. E dyta, ne do ulim çmimin e energjisë nga 18 do të jetë 6 Lekë. Do ta kemi më të ulëtin dhe kjo përbën një leverdi të mirë për biznesin. Rënia e Euros është një problem shumë i madh. U boshatis vendi”, u shpreh Berisha.
Berisha mes të tjerash theksoi edhe largimin e të rinjve nga vendi ku tha se krahu i punës është shumë i rëndësishëm për vendin.
“Javën e kaluar, sipas OKB, ne ishim vendi me lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit. Çka do të thotë se një përpjekje shumë të madhe duhet të bëjmë për ta sjellë kombin në moshën e rinisë, se faktikisht e ka humbur atë moshë. Kanë ikur mbi 600 e ca mijë të rinj në 10 vite. Krahu i punës dhe tregu i punës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne, edhe në këtë aspekt do kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me sipërmarrjen në mënyrë që të ketë një trajnim të vazhdueshëm. Shteti do të krijojë të gjithë lehtësirat fiskale dhe të tjera për këtë proces. Do bëjmë një politikë demografike me të cilën synojmë të nxisim në maksimum lindjen e fëmijës së tretë, duke e marrë përsipër nga lindja gjer 23 vjeç. Do bëjmë gjithçka për të kthyer ata që kanë ikur, siç jeni kthyer ju, një histori e vërtetë suksesi dhe sot mbijetoni në kushte të vështira. Në kushte të vështira sepse rënia me 35 përqind i kursit të euros dhe injorimi total i kësaj rënie, sepse qeveria ka mundësi t’u kompensojë sepse ju paguani rrogat, ju keni arritur ta mbani, por të tjerët kanë falimentuar. Me mijëra punëtorë kanë humbur vendet e punës. Kjo sepse bëhet marrëveshje mes trafikantëve dhe betonit. Mes trafikantëve dhe qeverisë. Kjo është e vërteta”, thekson Berisha.
Kreu i demokratëve po ashtu shtoi se prodhimi dhe vetëm prodhimi është motoja e tyre: Tre vite me radhë që prodhimi industrial bie në mënyrë të vazhdueshme. Nga viti 2023 deri në vitin 2024, eksportet, që janë prodhim dhe punësim, kanë rënë me 32 përqind. Pra është krijuar një rreth vicioz. Por ne do e presim këtë rreth vicioz. Prapë do i rikthehemi biznesit. Ne duhet të krijojmë klimën më miqësore. Për ne, motoja do jetë prodhim, prodhim, prodhim. Prodhimi është punësim, prodhimi është të ardhura, prodhimi është zhvillim dhe ne do bëjmë gjithçka për prodhimin.
/tvklan.al