Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë 58-vjeçarin, Vullnet Koci, banues në Durrës, pasi u kap duke transportuar drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës, 26 emigrantë të paligjshëm.

Sipas njoftimit të policisë bëhet e ditur se pas hetimeve 2-mujore është finalizuar operacionin policor i koduar “Midnight 23” ku janë sekuestruar furgoni me të cilin po transportoheshin këta shtetas dhe 2 aparate celularë.

“Në aksin rrugor “Bilisht-Pogradec”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin V. K. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 26 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga ky shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti furgon me të cilin po transportoheshin emigrantët e paligjshëm dhe 2 celularë”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al