Tim Bergling, producenti i njohur botërisht si Dj Avicii, u nda para kohe nga jeta në moshën 28-vjeçare. Vitet e fundit ai vuante nga një sëmundje në pankreas dhe mëlçi. Për këtë shkak, Avicii mesa duket kishte paralajmëruar vdekjen e tij.

Në një dokumentar të fundit të titulluar “True Stories”, producenti thotë se do të vdesë nëse nuk ndalon koncertet. Dokumentari u publikua Tetorin e vitit të kaluar dhe transmetohej gjithashtu edhe në rrjetin amerikan Netflix së fundmi, por këto ditë është hequr nga transmetimi që pas vdekjes së 28-vjeçarit. Dokumentari i realizuar nga një mik i Aviciit, tregonte për jetën e DJ-t dhe koncertet e tij të shumta në të gjithë botën.

Dokumentari tregon gjithashtu se Tim Berg kishte vendosur kohët e fundit që të tërhiqej nga aktiviteti muzikor, pasi nuk përballonte dot presionin e koncerteve të njëpasnjëshme. Pas vdekjes së tij, tashmë bëhet më e qartë se producenti suedez ishte nën presion të madh dhe megjithatë vazhdonte të performonte pavarësisht shëndetit mendor (gjendje ankthi) dhe një beteje të gjatë të abuzimit me alkoolin.

Avicii, disa prej këngëve të të cilit janë bërë hite botërore, fitonte 250 mijë Dollarë në një natë kur luante në koncerte. Forbes e kishte përcaktuar atë si një nga DJ më të paguar të botës. 28-vjeçari u gjet i vdekur më 20 Prill në Muscat të Omanit, në Lindjen e Mesme.

/tvklan.al