Ishulli i Gjarpërinjve nuk është një destinacion turistik. Këtë e zbuloi së fundmi reporterja Tara Brown.

Gazetarja e

60 Minutes

dhe grupi i saj i punës ishin media e parë australiane që u lejua në ishullin, i cili ndodhet 33 kilometra nga brigjet e Brazilit, pranë Sao Paulo.

Ishulli i Gjarpërinjve është kaq i rrezikshëm sa njerëzit e kanë të ndaluar të shkojnë atje.

Ashtu sikurse e thotë edhe vetë emri, ai është i tejmbushur me gjarpërinj. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nuk bëhet fjalë për gjarpërinj të zakonshëm. Në të gjenden disa prej specieve më të rrezikshme në botë, përfshirë një lloj nepërke, helmi i së cilës është aq i fortë sa mund të shkrijë mishin e njeriut.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “DailyMail”, ishulli në fjalë është shtëpi për rreth 4 mijë krijesa vdekjeprurëse dhe kur janë të uritur, gjarpërinjtë kapin zogjtë në ajër për t’u ushqyer.

Autoritetet lokale u japin leje vetëm disa shkencëtarëve për të vizituar këtë ishull çdo vit dhe Brown, e armatosur me një grup mjekësor ekspertësh, iu dha së fundmi leje.

“Jam gjithnjë entuziaste për aventura dhe destinacione të reja dhe ky ishte një oportunitet unik për të parë një habitat special, tejet të mbrojtur

“, tha gazetarja.

“Kur po flisnim me peshkatarë të zonës na thanë: Nuk është ide e mirë, ju nuk doni të shkoni atje. Ekzistojnë legjenda për familje të tëra të cilat kanë gjetur vdekjen atje dhe piratë të cilët i fshehën thesaret e tyre në ishull dhe vendosën gjarpërinjtë për t’i ruajtur”.

Broen u paralajmërua edhe nga një ekspert biolog, për rrezikun që i paraqitej duke shkuar në këtë ishull.

“Vdekja nga këta gjarpërinj do të jetë tmerrësisht e dhimbshme. Do të vdisni duke ulëritur”,

tha Bryan Fry, i cili pavarësisht kësaj vendosi t’i bashkohej grupit, në një udhëtim që nuk përsëritet 2 herë në jetë.

Nepërkat në këtë ishull, që formalisht njihet me emrin Ilha da Queimada Grande, janë një specie unike. 11 mijë vjet më parë, kur niveli i detit u rrit duke i shkëputur nga toka, ata evoluan ndryshe. E njohur me emrin shkencor Bothrops insularis, kjo lloj nepërke gjendet vetëm në këtë vend të botës. Ajo renditet në mesin e 10 gjarpërinjve më helmues në botë.

Ato arrijnë mesatarisht një gjatësi prej 70 centimetrash, por mund të shkojnë deri në 118 centimetra. Helmi i tyre mund të shkrijë mishin dhe indet, duke e bërë prenë më të lehtë për t’u gëlltitur, ndërkohë që janë neurotoksinat ato që e vrasin prenë.

Përveç shkencëtarëve të aprovuar, të tjerë që guxojnë të shkelin në Ishullin e Gjarpërinjve janë kontrabandistët, të cilët për një gjarpër fitojnë plot 30 mijë paund… megjithatë një lëvizje e gabuar mund të ketë pasoja fatale.

//tvklan.al