Komisioni Hetimor u mblodh sërish këtë të hënë ku kësaj here mori në shqyrtim materialet e dërguara nga AMA në lidhje me pretendimet për shkeljet e Presidentit Ilir Meta. Kronikat televizive nisin me përplasjen e Metës me punonjësit e Policisë Bashkiake të Tiranës në selinë e FRD-së. Më pas, vijuan me deklaratat e Presidentit Meta në emisione të ndryshme televizive para zgjedhjeve.

“Ta dijë mirë kushdo nga ata që ke nxjerrë atje ti, një votë u prek do të pritet dora dhe kjo nuk është në kuptimin figurativ”, ka thënë në një ndër to Meta.

Ndër provat që u paraqitën në komision ishin dhe deklaratat e Metës në një emision për ambasadoren Yuri Kim. Ndërkohë në mbledhjen e sotme do të marrë detyrën eksperti ligjor i komisionit, Artan Spahiu. Në mbledhjen e kaluar, deputetët vunë në diskutim gjendjen psikologjike të Metës, megjithatë për anëtarët e komisionit ky nuk është objekt i hetimit.

Të martën (18 Maj) është caktuar mbledhja e radhës ku Presidenti Ilir Meta është ftuar në një seancë dëgjimore.

Mazhoranca kërkon shkarkimin e Presidentit pasi pretendon se ka shkelur Kushtetutën me thirrjet para, gjatë dhe pas fushatës elektorale të 25 Prillit. Sipas socialistëve, Meta ka mbajtur anë në një kohë kur përfaqëson unitetin e kombit si dhe ka shkaktuar ndasi politiko-sociale me deklaratat e tij. /tvklan.al