Arqile Koçi, vrasësi i punonjësit të karburantit në Sarandë, ka dalë para gjykatës ku është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

27-vjeçari ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në polici para togave të zeza duke sqaruar se nuk donte ta vriste Artan Hoxhën por vetëm të merrte paratë që ndodheshin në kasën e karburantit.

Sipas Koçit ai ishte frikësuar kur viktima 44-vjeçar lëvizi në drejtim të tij dhe për këtë arsye shkrepi në mënyrë të pavullnetshme armën.

Autori, një përdorues droge, është shprehur se nuk ka patur konflikte të mëparshme me viktimën dhe synimi i tij ka qenë grabitja e parave.

Arqile Koçi shkoi në piken e karburantit rreth orës 4 të mëngjesit të së dielës. Nën kërcënimin e një arme gjahu ai u kërkoi punëtorëve paratë e xhiros.

Por gjatë kësaj kohe Artan Hoxha ka lëvizur nga karrigia ku ishte ulur dhe 27-vjeçari e qëlloi me çifte. Me pas ai hyn në dhomën ku ndodhej kasa dhe merr nga aty 60 mijë lekë të reja, duke u larguar nga aty me motor./ TV KLAN