Detaje të reja nga kapja e 1.2 ton kokainë në Greqi

Zbulohen detaje të reja nga operacioni që çoi në sekuestrimin e 1.2 ton kokainë në një port të Patras ku u vunë në pranga edhe 6 shqiptarë.

Autoritetet greke thanë se grupi mbahej nën vëzhgim prej Shtatorit 2018 në një operacion të përbashkët të policive të disa vendeve, mes të cilave Greqia, Spanja, Shqipëria dhe DEA amerikane.

Në krye të organizatës qëndronte shqiptari Aleksandër Pema, i njohur me nofkën “Doktori” i cili është vënë në pranga. Ai jetonte prej vitesh në Barcelonë të Spanjës, prej nga edhe drejtonte rrjetin e trafikut. Në kërkim janë 2 bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.

Droga ishte nisur nga Republika Domenikane në Karaibe. Autoritetet u vunë në lëvizje kur mësuan nga një polic i infiltruar në organizatë se rrjeti po kërkonte një jaht që do të transportonte drogën drejt Europës. Dy nga shqiptarët e arrestuar bënë edhe një pagesë paraprake prej 120 mijë Dollarësh.

Sapo droga mbërriti në port privat në Greqi, u sekuestrua nga autoritetet. Vlera e drogës arrin në miliona Euro. Policia shqiptare tha në një deklaratë se në këtë operacion mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me hetime që ndihmuan në identifikimin e personave, roleve te tyre dhe në mënyrën e funksionimit të organizatës kriminale.

Tv Klan