Doktori i Shtëpisë së Bardhë që kujdeset për shëndetin e Presidentit Donald Trump dhe familjes së tij ka reaguar pasi çifti presidencial është konfirmuar me koronavirus.

Në një letër publike, doktori Sean P. Conley shkruan se gjendja shëndetësore e Donald dhe Melania Trump është e qëndrueshme. Ai shton se ata do të vijojnë që të punojnë gjatë kësaj periudhe dhe janë izoluar në Shtëpinë e Bardhë.

LETRA E PLOTË

Po jap informacionin vijues me lejen e Presidentit Donald J. Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump. Këtë mbrëmje kam marrë konfirmimin se të dy, Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump kanë dalë pozitivë për virusin SARS-CoV-2.

Presidenti dhe Zonja e Parë janë të dy mirë në këtë kohë, dhe ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë rimëkëmbjes së tyre.

Ekipi mjekësor i Shtëpisë së Bardhë dhe unë do të kujdesemi për ta dhe vlerësoj mbështetjen e dhënë nga disa prej profesionistëve dhe institucioneve më të mëdha mjekësore të vendit tonë. Unë pres që Presidenti të vazhdojë të kryejë detyrat e tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit, dhe unë do t’ju mbaj të azhurnuar për çdo zhvillim në të ardhmen.

Donald dhe Melania Trump u konfirmuan me COVID-19 mëngjesin e sotëm, pas testimeve të kryera. Deri tani besohet se virusin e kanë marrë nga një këshilltare shumë e afërt e cila rezultoi më herët si e prekur nga koronavirusi./tvklan.al