“Legjenda thotë se dikur kalaja e Rozafës pikonte qumësht, ndërsa sot dyqanet e qumështit pikojnë varfëri dhe pagjumësi”, kështu nis dokumentari i Reis Çiços për Shqipërinë e viteve 1990-1991.

I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Çiço rrëfeu detaje lidhur me realizmin e dokumentarit.

“Kur ne nisëm realizimin e këtij dokumentari vendosëm që pamjet të flisnin më shumë se fjalët. Realizimi i këtij dokumentari ka pasur vërtetë probleme, por drejtuesit e atëhershëm bënë një sy qorr e një vesh shurdh. Xhirimet kanë nisur që pas tronditjes së madhe që mori diktatura kur shqiptarët u dyndën nëpër ambasada. Nga ora 1 e natës njerëzit fillonin dhe grumbulloheshin dhe në orën 5 të mëngjesit hapej dyqani për të marrë qumështin. Është për të ardhur keq për ata që e kanë jetuar atë moment. Disa e merrnin qumështin dhe shumë prej tyre ktheheshin në shtëpi pa marrë qumësht sepse sasia ishte e limituar. Ishte një periudhë që mbartte një lloj rebelimi, ishim ngopur me 50 vite diktaturë dhe ngjarjet jashtë Shqipërisë ishin shumë frymëzuese. Por filmi nuk arriti asnjëherë tek publiku. Ky dokumenta është i pari realist i jetës që ne përjetonim çdo ditë”, tregoi Çiço./tvklan.al