Eventi i shtëpisë së madhe të modës, “Dolce & Gabbana” në Venecia të Italisë prezantoi koleksionin e ri të markës prestigjioze, të quajtur “Alta Moda”. Shkëlqimi ishte kryefjala e mbrëmjes, për jo pak arsye.

Si fillim, në vendin e përzgjedhur, i cili ishte sheshi i “Shën Markut”, nuk është zhvilluar kurrë më parë një shfaqje mode. Më pas, vijoi një performancë 20-minutëshe që përziente karnavalet me një histori të rrëfyer nga Fellini. Jennifer Hudson u shfaq në një fustan ngjyrë floriri dhe rrënqethi spektatorët me “Nessum Dorma” nga Turandot, ndërsa dronet dhe pulëbardhat endeshin përqark.

Akoma më e mrekullueshme ishte pjesa e prezantimit të koleksionit. Varkat e lashta veneciane ose gondolat, të drejtuara nga lundërtarët dhe të ndihmuara nga një erë e freskët, rrëshqisnin përgjatë lagunës me procesionin e modeleve. Këto të fundit mbanin veshjet e koleksionit, të cilat më shumë se si të tilla, ngjasojnë me copëza arti, të ndërthurura me artizanatin vendas dhe kulturën e pasur vendase.

Fustanet me tyl ose temina ishin të qëndisura për të riprodhuar efektet kaledoiskopike të artit të Muranos ose motivet gjarpëruese të sheshit “Shën Mark”. Pelerina gjigande të thurura me litar apo kolazhe të simbolit të famshëm të luanit me krahë si mbrojtës i qytetit, gondolave dhe maskave të karnavaleve. Kryevepra të tëra prej satini u përdorën për të reflektuar kanalin e mëndafshtë ujor të qytetit.

Fundi i shfaqjes nuk do të ishte programuar më mirë as nga vetë organizatorët. Pllakat e gurta nisën të lageshin nga pikat e shiut, duke krijuar momentin e përsosur për daljen e një ylberi. Një vetëtimë përndriti qiellin, bubullimat u kollitën dy herë përpara se shiu të kthehej në një rrebesh i shoqëruar nga “Katër Stinët” e Vivaldit.

Për të plotësuar të gjithë luksin dhe ekskluzivitetin e kësaj ngjarjeje të ngjashme me përrallat, ishin të ftuara figurat më të rëndësishme të tapetit të kuq. Jennifer Lopez, Kris Jenner, Helen Mirren, Doja Cat, Saweetie, Kourtney Kardashian dhe Travis Barker, Meghan Thee Stallion, Ciara, Heidi Klum, Bebe Rexha e Normani ishin vetëm disa nga emrat më të njohur midis 400 personave./tvklan.al