Dolores Koçi rrëfen takimin e parë me babanë sirian pas 47-vitesh



Dolores Koçi rrëfen takimin e parë me babanë sirian pas 47-vitesh

20:15 16/06/2020

Të gjithë historinë e saj të jetës, peripecitë që ka kaluar që në fëmijëri e më pas, Dolores Koçi i ka rrëfyer në librin “E vërteta e heshtur”. Historia e jetës së saj nis në kohët e komunizmit, kur për shkak të regjimit rritet pa baba. Babanë, i cili është një doktor sirian, arriti ta gjejë dhe ta takojë vetëm pas 47 vitesh.

Për librin “E vërteta e heshtur”, Dolores Koçi foli këtë të martë tek “Rudina”, në Tv Klan. Ishte fillimi i viteve `60, nëna e Dolores ishte e martuar dhe kishte dy vajza. Martesa e saj nuk shkonte mirë. Ndërkohë, ishte njohur me një mjek të sapodiplomuar, i ardhur nga Siria. Pasi ndahet nga bashkëshorti me të cilin kishte dy vajza, por pa divorc për shkak të kohës së regjimit, asaj i lind një dashuri e fortë me mjekun sirian.

Ishin të dy entuziastë me dashurinë e tyre dhe çdo gjë shkonte shumë mirë në bashkëjetesën e tyre, nga e cila prisnin edhe një fëmijë. Mirëpo, kjo histori, sidomos fakti që Mamun Xhelal Arnaut, ishte një doktor i ri gjinekolog nga Siria, nuk mund të mos binte në “veshin” e “syrin” e Sigurimit të Shtetit. Ata e dëbojnë nga Shqipëria të riun sirian duke e kërcënuar me burg. Familja ndahet. Nëna e Dolores ishte shtatzënë me të në atë kohë dhe Dolores kurrë nuk e takoi në fëmijërinë e saj babanë. Lindi, u rrit e shëndetshme dhe e shkolluar, mirëpo Dolores gjithmonë paragjykohej nga shoqëria për shkak se e gjithë Tirana e dinte që ajo ishte e bija e një doktori sirian.

Dolores kishte një peng, që të njihte babanë e saj të vërtetë. Por, nëna e saj asnjëherë nuk ia konfirmonte zërat e shoqërisë që ajo ishte e bija e një doktori sirian. U rrit me këtë peng ndërsa shihte gjithmonë nënën teksa mbante të fshehur dy fotografi të vogla të babit të saj poshtë jastëkut, të cilat çdo natë i puthte dhe i vinte në vendin e vet.

Edhe pse me shumë vonesë Mamuni ishte martuar dhe kishte 5 fëmijë të tjerë, 2 vajza dhe 3 djem. Pas 47 vitesh jetë, Dolores Koçi takoi për herë të parë babanë e saj në vitin 2016. Fillimisht, ajo gjeti vëllain e saj, Jamen, me anë të të cilit gjeti babanë e vërtetë.

Dolores Koçi: Ishte viti 2014. Nga viti 2004 deri në vitin 2014 më thënë të drejtën unë e prita. Por, për motivet e tij, për motive pune, për motive shëndeti…Takimi i parë, të themi gjithë të vërtetat, unë kisha vite që e prisja, por nuk ishte më Dolores që kishte nevojë për babanë e saj, unë tashmë isha një grua e realizuar, kisha familjen time. Natyrisht doja të dija, të njihja personin i cili më kishte dhënë genin, më kishte dhënë gjakun, ishte një kuriozitet shumë i madh. Doja të takohesha përpara se…sepse mosha pak a shumë të dy me mamanë ishin në një moshë dhe doja ta takoja përpara se të ndodhte diçka dhe isha shumë e lumtur. Ka ngelur në memorien time, çdo detaj të atij takimi unë e kam të gdhendur si tani. Megjithatë, dua të them, nuk e kisha atë emocionin që më ka përshkuar vite me radhë teksa e ëndërroja që do të vinte, siç e kisha imagjinuar. Kjo mbase edhe me statusin, sepse edhe unë nuk isha më i njëjti person, kisha ndryshuar./tvklan.al




Të ngjashme