Fitorja e titullit kampion të Superligës shqiptare hap dyer të reja për Partizanin. Të kuqtë siguruan trofeun vetëm në javën e fundit, duke festuar kështu pas një sezoni tepër të luftuar. Një trofe që vjen si dhuratë për trajnerin Giovanni Colella në sezonin e tij të parë në kryeqytetin shqiptar, për tu bërë italiani i parë që fiton titullin në elitën e futbollit tonë. Sukses që e dërgon në 17 numrin e titujve të Superiores, duke iu afruar rivalit më të afërt në këtë renditje speciale, Dinamos. Blutë që nga sezoni i ardhshëm do garojnë në elitë kanë fituar 18 herë trofeun e Superligës, ndërsa e diferencuar ndjeshëm gjendet Tirana, me 26 tituj kampion.

Lamtumirat në merkaton e janarit të Xhuliano Skukës dhe Eneo Bitrit nuk u ndjenë aspak në skuadrën e “demave”, që gjeti shpëtim tek golat e Mba, si zëvendësues të lojtarit më të shtrenjtë të larguar nga Superliga. Me metodën e tij prej italiani, Colella injektoi tek skuadra grintën dhe dëshirën për të fituar, duke e treguar këtë në momentet më vendimtare të sezonit.

Distanca prej 5 pikësh pak javë para fundit me Tiranën konsiderohej si hendek tepër i madh tek “demat”, të cilët gjithsesi arritën që të rikuperonin dhe t’ia dilnin për të ngritur lart trofeun që vlen kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Skuadra është shpërbërë tashmë duke nisur pushimet, për tu rikthyer me përgatitjet e sezonit Europian, që pritet të nis në ditët e para të muajit korrik.

Klan News