Ky është momenti historik i shtrëngimit të duarve mes Donald Trumpit dhe Kim Jong-unit, që i jep fund armiqësisë prej gati 7 dekadash mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Dy udhëheqësit u takuan në Singapor ku zhvilluan një bisedë me dyer të mbyllura. Me Kimin me fytyrë të qeshur në krah, Trump foli për një marrëdhënie të shkëlqyer në përfundim të takimit.

Më pas liderët nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku pika më e rëndësishme është angazhimi i Koresë së Veriut për nisjen e procesit të denuklearizimit.

Donald Trump ishte i vetmi që foli pas nënshkrimit dhe tha se takimet do të vijojnë në rang kryediplomatësh.

“Mendoj që e gjithë marrëdhënia jonë do të krijojë një situatë shumë ndryshe nga çka qenë në të kaluarën. Njerëzit do të jenë të impresionuar dhe të gëzuar, pasi ne do t’i japim zgjidhje një problemi shumë të madh.”

Në shenjë miqësie në përfundim të takimit Trump i hapi Kimit, dyert e Mercedesit të tij presidencial me vlerë 1.6 milionë dollarë, prodhuar me porosi për t’i rezistuar sulmeve ushtarake e kimike.

Në një lidhje direkte me CNN, ikona e NBA Dennis Rodman, mik i ngushtë i udhëheqësit koreanoverior, shpërtheu në lot teksa fliste me entuziazëm për samitin historik.

Samiti hap një epokë të re pozitive për paqen dhe sigurinë globale. Dy liderët i japin fund veçanërisht tensioneve që e çuan botën në prag të shpërthimit të konfliktit bërthamor që do të rrezikonte jetën e dhjetëra miliona njerëzve në gadishullin korean e më gjerë.

Programi raketor dhe ai bërthamor koreanoverior, vitin e kaluar u zhvillua aq shumë sa u arrit testimi i raketave që fusnin në rreze edhe territorin kontinental amerikan. Në takimin e Prillit, liderët e dy koreve startuan procesin e ribashkimit të gadishullit të ndarë prej luftës së viteve ’50. Gjithsesi disa media shkruajnë se në takim nuk u përmend fare problemi i shkeljes brutale të të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut si dhe ndryshimi i sistemit diktatorial. Çështje për të cilat mbetet kohë në të ardhmen.

Tv Klan