Mbi 7 mijë njerëz të pranishëm në tubim, pa maska dhe pa distancë

Duke injoruar emergjencën e koronavirusit, presidenti Donald Trump fluturoi drejt malit Rushmore në Dakotën e jugut  për katër Korrikun, ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Para mbërritjes, protestues të shumtë bllokuan një prej rrugëve hyrëse në zonë, gjë e cila detyroi gardën kombëtare të ndërhynte.

7.500 persona ishin të pranishëm për të dëgjuar presidentin. Siç shihet qartë, pjesa më e madhe nuk mbajnë maske dhe nuk respektohet as distanca fizike, rregulla të cilat nuk janë kërkuar nga organizatorët e tubimit dhe që bien në kundërshtim të hapur me këshillat e autoriteteve të shëndetit publik.

Jo rastësisht tubimi u mbajt në rrëzë të blloqeve të granitit që përshkruajnë katër presidentë të famshëm amerikanë. Kreu i shtëpisë premtoi mbrojtjen e trashëgimisë dhe historisë së vendit, si një paralajmërim i radhës për demonstruesit kundër racizmit të cilët sipas tij kërcënuan themelet e sistemit politik të ShBA.

“Jam këtu si presidenti juaj për të shpallur para vendit dhe para botës, se ky monument nuk do të shkatërrohet kurrë. Këta heronj nuk do të shkatërrohen kurrë. Trashëgimia e tyre nuk do të shkatërrohet kurrë. mali Rushmore do të qëndrojë përgjithmonë si një homazh  i përjetshëm për të parët tanë dhe për lirinë tonë “.

Trump njoftoi se do të krijojë një Kopsht Kombëtar të Heronjve Amerikanë, të cilin e përshkroi si një park të madh në natyrë me  statuja të amerikanëve më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë.

Tv Klan