Miliarderi i pasurive të paluajtshme Donald Trump ka një pasuri rreth 2.5 miliardë Dollarë. Ka pak a shumë njëjtën pasuri që ka pasur një vit më parë, ku qëndronte i radhitur në vendin 339 në listën e Forbes, por ai ka pësuar një rënie prej 600 milion Dollarë nga fillimi i pandemisë. Por pronat në qytetet e mëdha të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të pasurisë së Trump janë zbehur, duke e përjashtuar ish-presidentin nga klubi më ekskluziv i vendit, sipas Forbes.

Nëse Trump po kërkon dikë për të fajësuar, ai mund të fillojë me veten. Pesë vjet më parë, ai pati një mundësi të artë për të diversifikuar pasurinë e tij. Sapo përfunduan zgjedhjet e vitit 2016, zyrtarët federalë të etikës po e shtynin Trumpin të hiqte pronat e tij të pasurive të paluajtshme. Kjo do t’i lejonte atij të riinvestonte të ardhurat në fonde të indeksit me bazë të gjerë.

“Unë në fakt mund të drejtoj biznesin tim dhe të drejtoj qeverinë në të njëjtën kohë”, është shprehur Donald Trump më 11 Janar 2017 para gazetarëve të mbledhur në Trump Tower.

Trump vendosi të mbante pasuritë e tij. Në atë kohë, ato ishin me vlerë rreth 3.5 miliardë Dollarë. Nëse ai do të kishte zgjedhur të shiste gjithçka, pasuria e Trump do të ishte rritur në 4.5 miliardë Dollarë tani, duke e bërë atë 80% më të pasur se sa është sot. Refuzimi i tij për të hequr dorë, me fjalë të tjera, i kushtoi atij 2 miliardë Dollarë.

Nga 1997 deri në 2016, Donald Trump ndodhej në gjysmën e parë të renditjes në Forbes 400. Por gjërat morën një kthesë për keq vitin kur ai fitoi presidencën. Pas pesë vitesh rënie në renditje, ai tani është plotësisht jashtë listës.

Një pjesë pak e njohur në kodin federal të taksave u lejon punonjësve të qeverisë që heqin qafe pronat e tyre dhe të marrin një dokument të quajtur certifikatë shpronësimi, e cila u mundëson atyre që të shmangin pagimin e taksave mbi fitimet kapitale. Një mënyrë kjo për të bindur zyrtarët të bëjnë gjënë e duhur dhe të shmangur konfliktin e interesit.

Mendja e ngushtë ka kostot e veta. Nëse Trump do të kishte arritur të shmangte taksat mbi fitimet kapitale, ai teorikisht mund të kishte riinvestuar 3.5 miliardë Dollarë në S&P 500 ditën kur hyri në Shtëpinë e Bardhë. Sipas këtij skenari, Trump do të kishte një vlerë prej rreth 7 miliardë Dollarë deri në këtë Shtator, kur Forbes mbylli vlerësimet për listën e tij vjetore. Në vend të kësaj, ai del nga Forbes 400 për herë të parë në një çerek shekulli. /tvklan.al