Ish-Presidenti do t’iu dorëzohet prokurorëve të New York-ut javën e ardhshme

Donald Trump është paditur nga një juri e madhe e Manhatanit në New York, një ngjarje historike që vjen pas vite hetime mbi lidhjet e tij personale, politike dhe të biznesit dhe një tronditje për fushatën për t’u rizgjedhur president.

Akuzat e sakta mbeten ende paqarta sepse ato janë sekrete dhe do të zbulohen në gjykatë, por ato rrjedhin nga pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të shuar pretendimet për një marrëdhënie jashtëmartesore.

Prokurorët thanë se po punojnë për të koordinuar dorëzimin e Trump-it, gjë që mund të ndodhë në fillim të javës së ardhshme. Nuk dihet ende nëse prokurorët do të kërkojnë dënim me burg për këto akuza, por nëse një gjë e tillë ndodh, Trump do ta ketë të pamundur të rizgjidhet president.

Trump, i cili mohon shkeljen e ligjit, e quajti aktakuzën “persekutim politik” dhe parashikoi efekt bumerang ndaj demokratëve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Ky vendim nga prokurorët e Manhatanit tregon një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhjet në nivelin më të lartë. Demokratët kanë gënjyer mashtruar dhe vjedhur për të futur Trump pas hekurave. Ata synojnë të kthejnë në armë politike sistemin tonë të drejtësisë për të dënuar një kundërshtar politik. Këta janë banditë dhe përbindësha të majtë radikale.” 

Një zëdhënës i zyrës së prokurorit të qarkut të Manhattan-it konfirmoi aktakuzën dhe tha se prokurorët kanë kontaktuar me ekipin mbrojtës të Trump-it për të koordinuar dorëzimin.

Trumpit iu kërkua të dorëzohej të premten, por avokatët e tij thanë se Shërbimit Sekret i duhej kohë shtesë për t’u përgatitur.  Prokurori i çështjes, Alvin Bragg nuk ka komentuar.

Çështja fillon në vitin 2016. Prokurorët për muaj të tërë shqyrtuan paratë e paguara për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modelen e Playboy Karen McDougal, në mënyrë që ato që mos flisnin për lidhjet jashtëmartesore me Trumpin. Por ekspertët dyshojnë se gjatë hetimit, mund të jenë zbuluar shkelje të tjera.

Koha e ngritjes së aktakuzës erdhi papritur për zyrtarët e fushatës së Trumpit.  

Reagimet ishin të menjëhershme. Mbështetësit e ish-presidentit u mblodhën jashtë rezidencës së tij Mar-a-Lago në Florida për të treguar mbështetjen e tyre. Shumë prej tyre valëvisnin flamujt e fushatës “Trump 2024”.

Klan News