Donald Trump njihet për mënyrën jo shumë të zakonshme të komunikimit dhe këtë e përdor pa problem edhe kur vjen puna te diplomacia e jashtme.

Deri dje ai ishte i ashpër me presidentin ukrainas Zelensky, por sot ka bërë një paralajmërim edhe për Rusinë e Vladimir Putin.

Pas sulmeve ruse në Ukrainë, Trump thotë se po konsideron vendosjen e sanksioneve në shkallë të gjerë mbi Moskën.

Madje ai i bën thirrje dy shteteve që të ulen në tryezë për të negociuar marrëveshjen e paqes, para se të jetë vonë.

“Bazuar në faktin se Rusia po e godet fuqishëm Ukrainën në fushën e betejës aktualisht, po konsideroj fuqishëm sanksione dhe tarifa të gjera mbi Rusinë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare për paqen. Rusia dhe Ukraina, të ulen në tryezë tani përpara se të jetë të shumë vonë. Faleminderit”, shkroi Trump.

Çfarë janë sanksionet?

Sanksionet janë ndëshkime që vendosen nga një shtet për një tjetër për t’i ndaluar së sjelluri agresivisht ose të thyejnë ligjin ndërkombëtar. Këto janë mes masave më të forta që kombet marrin, pa shkuar në luftë.

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës tre vite më parë, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian bashkë me Australinë, Kanadanë dhe Japoninë kanë vendosur mbi 21 mijë sanksione mbi Rusinë.

Në shënjestër kryesore kanë qenë paratë ruse dhe industria e naftës.

Po ashtu vendet perëndimore kanë ndaluar eksportimin e teknologjisë që Rusia mund ta përdorë për të krijuar armë, kanë ndaluar importet e floririt dhe diamanteve nga Rusia, kanë ndaluar fluturimet nga Rusia dhe kanë sanksionuar oligarkët, biznesmenë të fuqishëm që janë të lidhur me Kremlinin.

A po ndryshon qasje Trump?

Siç e përmendëm më sipër para se të paralajmëronte Rusinë me sanksione, Trump vendosi në preson të madh Ukrainën.

Në fillim të javës, Shtëpia e Bardhë tha se SHBA do të ndalojë ndihmën ushtarake.

Më vonë njoftuan se do të ndalojnë së shpërndari inteligjencë me Ukrainën.

Mirëpo siç shkruan BBC, postimi më i ri i presidentit të SHBA-së mund të duket si një ndryshim në tone, por nuk është një pozicion i ri.

Edhe në Janar, pak pasi mori detyrën Trump paralajmëroi sanksione ndaj Rusisë nëse nuk ndalonte luftën, diçka që nuk ndodhi./tvklan.al