Donald Trump po planifikon rikthimin në rrjetet sociale




Donald Trump po planifikon rikthimin në rrjetet sociale

15:06 22/03/2021

Këshilltari i ish-Presidentit të SHBA-së Donald Trump, ka bërë të ditur se Trump së shpejti do të kthehet në mediat sociale “me platformën e tij”.

Këshilltari i Trump tha se rikthimi i tij në rrjetet sociale do të “ripërcaktojë plotësisht lojën”.

Trump ka përdorur Twitter-in për më shumë se 10 vjet, për të anashkaluar mediat tradicionale dhe për të folur drejtpërdrejt me votuesit. Atij fillimisht i ishte mbyllur llogaria e tij për 12 orë në muajin Janar pas thirrjes që iu bëri njerëzve që sulmuan Kapitolin e SHBA.

Trump u pezullua nga Twitter dhe Facebook pas trazirave vdekjeprurëse të Janarit në Kapitol, ku qindra mbështetës të tij hynë në kompleks ndërsa kongresi i SHBA-së po vërtetonte fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Sulmi në 6 Janar nga mbështetësit e Trump la pesë persona të vrarë duke përfshirë një oficer policie dhe tronditi bazat e demokracisë amerikane.

Twitter në atë kohë paralajmëroi se do ta ndalonte aksesin e  Trump “përgjithmonë” nëse ai do shkelte përsëri rregullat e platformës. Por, pasi u lejua që të kthehej në Twitter, Trump sërish bëri dy postime që i dhanë pikën e fundit dhe llogaria e tij u mbyll.

Llogaritë e Trump u pezulluan gjithashtu në Facebook, në platformën e lojrave të njohura Twitch dhe aplikacionin e mesazheve multimediale Snapchat./tvklan.al





Të ngjashme