Ish-Presidenti i SHBA, Donald Trump qëndroi rreth pesë muaj larg vëmendjes së madhe të publikut. Tani ai u rikthye me tubimin e parë të madh pas mandatit si president.

Nën moton “Të shpëtojmë Amerikën!” republikani doli përpara mijëra mbështetësve të tij në Uellington, Ohio. Donald Trump u kërkoi atyre të rikthejnë shumicën republikane në Kongres. Në zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2022 është në rrezik diferenca e vogël që kanë demokratët si shumicë në të dy dhomat e Kongresit të SHBA-së.

Në fjalën e tij Trumpi përsëriti akuzën e tij të hedhur shpeshherë poshtë se në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kishte pasur mashtrime. Trumpi kritikoi gjithashtu politikën e imigracionit të pasardhësit të tij Joe Biden dhe ripërsëriti gjithashtu kritikat e tij ndaj Gjermanisë për gazsjellësin Nord Stream 2 në Detin Baltik.  

A do të kandidojë përsëri Trumpi?

Trump nuk bëri deklarata të qarta për të ardhmen e tij politike në fjalimin e tij 90 minutësh. Deri tani ka pasur vetëm spekulime, nëse ai do të kandidojë përsëri për zgjedhjet presidenciale 2024. Për të konsoliduar ndikimin e tij tek Republikanët, ai aktualisht po mbështet miqtë besnikë të partisë, të cilët garojnë për shembull kundër kundërshtarëve politikë brenda partisë për zgjedhjet paraprake për zgjedhjet e ardhshme të Kongresit.

Në tubim morën pjesë rreth 20,000 vetë

Që nga fundi i mandatit të tij në detyrë Trump kishte mbajtur fjalime vetëm në ceremoni dhe aktivitete të brendshme të Partisë Republikane. Mitingu përpara mbështetësve në Ohio ishte i pari në stilin e tubimeve masive që ai ka mbajtur gjatë fushatave të tij zgjedhore dhe presidencës. Sipas policisë në tubim kishin marrë pjesë rreth 20,000 vetë. Tubime të ngjashme janë planifikuar gjatë javës tjetër në Teksas dhe Florida.

Trump u largua nga posti i presidentit më 20 janar pas humbjes në zgjedhje ndaj Bidenit. Megjithatë deri sot 75-vjeçari nuk e ka pranuar se i humbi zgjedhjet./DW