Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe njëherë arrestimin e kreut të Bashkisë Lushnje dhe disa zyrtarëve të tjerë të bashkisë. Në një takim me kryetarët e bashkive, Rama tha se qeveria ka ndihmuar me fonde të gjitha bashkitë, por disa prej kryetarëve kanë bërë tendera.

Duke iu referuar tenderit për të cilin akuzohet Tushe se ka abuzuar me fonde publike, kreu i qeverisë tha se për pastrimin e kanaleve qeveria i kishte çuar mjete, por nuk janë përdorur.  

“Kështu që njerëzit i keni aty, mjetet i keni aty. Po kur ke mjetet që t’i sjell qeveria për të pastruar kanalet dhe bën tendera patjetër që nuk dalin lekët dhe patjetër që nuk funksion dhe patjetër që përfundon në burg.

Sot në Fier nuk ka një kanal, në gjithë atë Fier, me gjithë atë intensitet prodhimi që të ketë bllokim, ose të ketë një komunitet që të thotë nuk pastrohet. Pa tendera, duke i ndenjur kryetari i bashkisë në krye dhe kanalet janë të pastra. Në Lushnjë kanalet nuk janë të pastra dhe kryetari i bashkisë në burg, se do bënte tendera. Po flas në parim, kur do ta bësh apo nuk do ta bësh punët“, tha Rama./tvklan.al