Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Domje.

Ky shtetas qarkullonte me automjet në rrugën “Bylis” (rrugë dytësore e autostradës Tiranë-Durrës), me qëllim që t’i shmangej kontrollit të Policisë, pasi mbante armë me vete, por është ndaluar dhe kontrolluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.

Si rezultat i kontrollit, Policia i gjeti në brez një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje, me një krehër me 7 fishekë lutarak.

Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.