Një dorë e zgjatur në një moment vështirësie i riktheu shpresën Anjezës për të vazhduar ëndrrën e saj. Në jetë, rrëfimin e së cilës e ndau përmbledhtazi me “Ka Një Mesazh Për Ty”, përtej çdo vështirësie, në mendje e zemër e udhëhiqte veç një dëshirë: shkollimi.
Pasi arriti që të linte pas dhunën dhe të rindërtonte jetën, mori diplomën e shkollës së mesme. Nga aty synoi universitetin dhe ia doli sërish, por hasi edhe pengesën e parë: një faturë që s’e paguante dot. “Sikur më ra qielli në kokë”, kujtoi Anjeza në rrëfimin për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Pranë iu gjend një grua, sekretarja e shkollës e cila i pa lotët dhe dhimbjen e saj e pa hezitimin më të vogël, e pagoi atë faturë. Sot Anjeza vijon ëndrrën për të kryer shkollën e lartë, gjithçka falë Sonilës të cilën e ka ftuar për ta falënderuar nga zemra.
Anjeza: Më je gjendur në një moment, ti e di që isha shumë kritike në atë moment, si isha bërë në atë periudhë që ti mua më ndihmove me pagesën e faturës në atë moment. Shkolla e lartë ka qenë ëndrra ime e fundit nga gjithë vuajtjet e jetës sime dhe në atë moment është njësoj sikur ti më dhe shtëpi dhe unë nuk ta kam harruar sa të jem gjallë dhe gjithë universiteti, gjithë klasa ime e di që ekziston ti. Unë dua të të them edhe diçka, me këtë shpirt që ke të lutem mos ndrysho.
Sonila: Shumë faleminderit, unë s’kam bërë asgjë.
Anjeza: Jo, ti ke bërë shumë për mua në krahasim me atë që unë jam… unë jam në borxh me ty në atë moment. Shkolla e lartë për mua në atë kohë 39 vjeçe, ishte kulmi i ëndrrës sime gjatë gjithë vuajtjeve të jetës sime dhe ndaj desha të të falënderoja publikisht shumë, shumë faleminderit dhe të lutem po ta them prapë, mos ndrysho me këtë shpirt që ke! Qofsh e lumtur!/tvklan.al