Zhvillimet e ditëve të fundit kanë kulmuar me dy ngjarje, me dorëheqjen e ministrit të jashtëm Besnik Mustafaj dhe me njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë sipas së cilës më 10 Qershor Presidenti i Amerikës George Bush do të vizitojë Shqipërinë. Të dy këto ngjarje kanë kaluar me një lloj kaosi dhe hutimi në media, ndaj edhe për të diskutuar më gjatë rreth tyre gazetari Blendi Fevziu kishte ftuar në emisionin “Opinion” katër analistë të njohur të shtypit në vend,  Armand Shkullaku, Andi Bejtja, Mero Baze dhe Mentor Nazarko. Dorëheqja e ministrit qe e befasishme duke lënë pas paqartësi të arsyeve se përse ka ndodhur.

Gjatë emisionit analistët kanë analizuar edhe arsyet e vërteta që kanë çuar në dorëheqjen e tij.

“Unë kam një lloj prirje për të besuar se Mustafaj nuk e ka ndjekur dot ritmin e punës së kryeministrit dhe problemi direkt nuk mendoj se është  mes raportit të tij me kryeministrin Berisha. Mund të jetë krijuar një lloj lodhje dhe fërkime mes Mustafajt dhe stafit të tij apo edhe me Berishën. Por unë i qëndroj faktit që arsyeja e dorëheqjes është lodhur me ritmin e punës”, tha Baze.

“Mendoj se është e kotë të lexojmë fjalinë e tij jam i lodhur përmes rreshtave, në mënyrë bizantine përderisa nuk dimë asgjë konkrete. Këto që flasim janë thashetheme korridoresh. Por pavarësisht gjërave që mund të jenë në prapaskenë ajo ishte dorëheqje fisnike në llojin e vet”, tha Bejtja./tvklan.al


Të ftuar: Armand Shkullaku, Andi Bejtja, Mero Baze, Mentor Nazarko.