Drejtuesi i ri i partisë do zgjidhet më 12 Dhjetor

Këshilli Qendror i LSDM-së ka konstatuar dorëheqjen e dorëzuar të Kryetarit Zoran Zaev. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska, ka deklaruar se nga e Shtuna nis afati prej shtatë ditëve ku kandidatët që plotësojnë kushtet, konform statutit partiak, mund t`i dorëzojnë kandidaturat për lider të ri të socialdemokratëve. Është vendosur që zgjedhjet brendapartiake të mbahen më 12 Dhjetor.

“Me dorëheqjen e dorëzuar të Kryetarit Zoran Zaev, Këshilli Qendror vendosi se duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e liderit të ri. Zgjedhjet do të mbahen më 12 Dhjetor – E diel. Pas dorëheqjes, Zoran Zaevi mbetet anëtar aktiv i LSDM-së”.

Pasi të zgjidhet lideri i ri, do të zgjidhet edhe udhëheqësia e re partiake. Socialdemokratët nuk dhanë një përgjigje konkrete nëse Zaevi në mbledhjen e Këshillit Qendror e ka propozuar Zv/Ministrin aktual për Financa, Dimitar Kovaçevskin, si trashëgimtar të tij.

LSDM-ja thotë se shumica parlamentare është stabile, kurse ka dhënë “dritë jeshile” për negociata me partinë Alternativa për kyçjen e saj në Qeveri.

Dorëheqja e Zaevit u paralajmërua më 31 Tetor, natën e rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, kur LSDM-ja humbi nga VMRO-DPMNE-ja.

Klan Macedonia