Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”,

shkruan Kryeministri.

Xhafaj erdhi fillimisht në krye të Ministrisë së Brendshme në Mars të 2017-s, pas largimit të Saimir Tahirit, post të cilin e mbajti për disa muaj. Pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe me fillimin sesionit të ri parlamentar, Xhafaj u emërua sërish Ministër i Brendshëm, më 13 Shtator të 2017-ës.

Nuk dihet ende arsyeja e dorëheqjes së tij.

Gjatë periudhës që drejtoi këtë dikaster, Xhafaj ishte në qendër të akuzave të opozitës, e cila e akuzonte për favorizim të vëllait të tij Agron (Geron) Xhafaj për t’i shpëtuar drejtësisë italiane, e cila e kishte dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge.

Ndërsa Prokuroria vijon hetimet për çështjen “Babale”, audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike ku pretendohet se Albert Veliu fliste me vëllain e Ministrit të Brendshëm për të trafikuar drogë.

Opozita ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, nga posti i Ministrit të Brendshëm. Përpara se të merrte këtë post, Fatmir Xhafaj ka qenë drejtues i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

Ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë në pesë legjislatura radhazi, si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Ndërkohë ashtu siç njofton edhe vetë Kryeministri Rama, me largimin e Xhafajt, drejtimin e Ministrisë së Brendshme do ta marrë Sandër Lleshi. Ai ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, ndërsa aktualisht mbante postin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare.

/tvklan.al