Vendimi pas daljes së një përgjimi kundër Presidentit

Kryeministri ukrainas, Oleksi Honçaruk, nuk priti gjatë dhe ofroi dorëheqjen, menjëherë pasi në media u publikua një regjistrim zanor, ku ai dëgjohet të thotë se presidenti Volodimir Zelenski ka mungesë të theksuar njohurish mbi ekonominë.

Komentet i ka bërë gjatë një mbledhjeje me Ministrin e Financave dhe përfaqësues të Bankës Kombëtare të Ukrainës në Dhjetor. The Guardian shkruan se presidenti Zelenski ka marrë letrën e dorëheqjes së kryeministrit dhe do të vendosë këtë të premte, nëse do ta pranojë apo jo. Por Reuters shkruan se Honarçuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pasi pyetjes nëse ishte dorëhequr, ai i ishte përgjigjur duke thënë: “Nuk duhet të hidheni në konkluzione”.

Vetë Honarçuk ka vlerësuar lartë punën e presidentit, i cili gjithsesi vjen nga bota e kinematografisë dhe nuk ka eksperiencë në detyra të larta shtetërore.

Disa analistë e komentojnë letrën e dorëheqjes së tij si përpjekje për të kuptuar nëse Zelenski vijon të ketë besim tek kryeministri i zgjedhur në Gusht, pasi partia e presidentit fitoi shumicën. Megjithatë, nga zyra e kryeministrit ukrainas thanë se pavarësisht se përgjimi ishte autentik, fjalët e tij janë nxjerrë nga konteksti.

Tv Klan