Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, është dorëhequr të dielën nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, e cila udhëheq Italinë.

Kjo lëvizje e Renzit, i cili në fund të vitit të kaluar dha dorëheqjen edhe nga posti i Kryeministrit pasi humbi referendumin për ndryshimet kushtetuese, do të hapë garën e lidershipit  në parti, me synim neutralizimin e rebelimit të disidentëve të majtë që ishin të zemëruar me agjendën e tij reformiste.

Tensionet në Partinë Demokratike vijnë në një kohë delikate për politikën italiane, me zgjedhjet e përgjishme që do të mbahen brenda vitit. Partia Pesë Yjet, anti-euro dhe anti-establishment, po përpiqet që të bëjë sulmin përfundimtar për të dalë nga zgjedhjet si parti e parë.

Përveç kësaj, “FT” thotë se performanca e ekonomisë italiane ka qenë më e dobët se e një pjesë të madhe shtetesh të Eurozonës.

“Ne kemi përgjegjësi ndaj vendit tonë,” tha Renzi teksa njoftonte dorëheqjen në Romë të dielën. “Nuk mund të përfshihemi në diskutime të brendshme në këtë kohë,” tha ai.

42-vjeçari Renzi ka udhëhequr Italinë si kryeministër për rreth tre vite deri kur u detyrua të dorëhiqej në Dhjetor të vitit të kaluar./tvklan.al