Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Lajmi është bërë i ditur nga mediat greke. Sipas raportimeve paraprake, motivi mendohet të ketë lidhje me pakënaqësi brenda koalicionit qeverisës.

Burimet e së përditshmes greke “Kathimerini” flasin për një përplasje mes Kotzias dhe ministrit të Mbrojtjes Panos Kamenos që ka ndodhur ditën e djeshme në mbledhjen e qeverisë.

Sipas kolegëve të ministrit të Jashtëm që kanë folur në kushte anonimati për “Kathimerini”,

“Kotzias ka qenë tmerrësisht i prekur nga sulmet e Panos Kamenos që e

 akuzon për keqmenaxhim të fondeve të Ministrisë së Jashtme, e 

cilëson njeri të Soros, dhe për sulme të tjera me karakter të ngjashëm”. 

Debati mes tyre nisi fillimisht për marrëveshjen e Prespës, që ka të bëjë me ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar të Greqisë, ministri Kotzias i kërkoi Kryeministrit Tsipras që të mbikëqyrë fondet sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrive të tjera. Sipas “Kathimerini”, Kotzias kërkoi nga Tsipras gjithashtu që të zbatojë të njëjtin ligj për të gjitha Ministritë që kanë në buxhetin e tyre një “fond sekret”, ligj që aktualisht aplikohet vetëm për Ministrinë e Jashtme.

Një nga Ministritë që kanë “fonde sekrete” është Departamenti i Mbrojtjes. Në propozimin që Kotzias bëri dje në mbledhjen e qeverisë, pati fyerje joetike mes ministrave Kamenos-Kotzias, raporton shtypi grek.

Për shkak të përplasjeve që ndodhën në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ministri Kotzias dha sot përfundimisht dorëheqjen, dhe sipas mediave të Athinës, ai është i zhgënjyer nga Kryeministri Alexis Tsipras që nuk e mbrojti nga sulmet e ministrit Kamenos. Ky i fundit është kreu i partisë aleate në koalicionin qeverisës.

Këtë pretendim të tij e konfirmon qartë edhe zëdhënësi i qeverisë greke, që reagoi duke thënë se

“kush është i mërzitur le të zbresë nga treni i qeverisë. Ne kemi destinacion dhe drejtim të qartë. Kush nuk dëshiron destinacionin, të zbresë nga treni i qeverisë”. 

/

tvklan.al