Largohet nga detyra Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell. Diplomati i lartë i paraqiti dorëheqjen Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, duke argumentuar se vendimin e ka marrë për arsye personale. Në letrën e dorëheqjes ai shkruan se ndjen se e ka përmbushur objektivin në këtë post, ndërsa mohon zërat e përhapura në mediat se largimi i tij është një shenjë proteste ndaj politikave të administratës Trump.

Dorëheqja e Mitchell krijon një boshllëk në diplomacinë amerikane, në një moment përplasjesh mes Washingtonit dhe BE për çështje si tregtia, shpenzimet për mbrojtjen etj.

Ndihmës Sekretari Wess Mitchell ishte një figura kryesore amerikane edhe për çështjet e Ballkanit dhe mbështetës i prioriteteve kyçe të rajonit, si marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, apo ajo mes Greqisë dhe Maqedonisë. Në Mars të vitit të kaluar Mitchell zhvilloi një tur vizitash në Ballkan, duke u ndalur në Prishtinë e Shkup.

Tv Klan