Kryeministri Zoran Zaev, thirri liderët e partive politike më të mëdha në vend që të ulën e të bisedojnë për tema që janë të rëndësishme për reformat dhe marrjen e datës për fillimin e bisedimeve… E një ndër temat të cilat ai i propozon është edhe Ligji për Prokurorinë Publike. Derisa po e lexonte thirrjen për opozitën në konferencë për media, Katica Janeva njoftoi opinionin se po jep dorëheqje nga posti i kryeprokurores në Speciale, por dorëheqja do të bëhet aktive kur politika do të dakordohet për ligjin e ri dhe për emrin e pasardhësit të saj.

“Me muaj të tërë po i përcjellë kronikat për bisedimet mes partive politike për ardhmërinë e Prokurorisë Speciale Publike. E informoj opinionin se nuk do të lejoj që emri im të përdoret si alibi e dikujt që të mbahet peng Prokuroria Speciale dhe ardhmëria evropiane e shtetit tim. Po e dorëzoj dorëheqjen time, e cila do të bëhet aktive kur partitë politike do të pajtohen për ligjin e ri dhe do ta zgjedhin pasardhësin tim.” -deklaroi Katica Janeva, Prokurore Speciale

Tërhqja e Janevës do të jetë një problem më pak për pushtetin dhe opozitën, por mbetet problemi tjetër…

“Në nenin 105 definohet ardhmëria e PPS-së dhe e lëndëve.” –shprehet Kryeministri Zoran Zaev.

Në këtë nen përfshihet të gjithë hetuesit, prokurorët, lëndët dhe procedurat para-hetimore dhe hetimore. Sipas kryeministrit, opozita kërkon që të gjitha lëndët të anulohen, e me këtë nuk pajtohen ata.

“Ashtu do të ndërtojmë shtet të së drejtës? Ndoshta 100% të lëndëve do të vazhdojnë edhe mëtutje, por ekziston mundësia që edhe 100% të bien, apo do të jetë 50-50,  por kush jemi ne të debatojmë për këto tema? Fundja unë dhe Mickoski nuk jemi as jurist.” vlerëson Kryeministri Zoran Zaev.

Në ftesën e tij, kryeministri parashtroi tre tema për të cilat dëshiron që të bisedohet. Përveç për ligjin e Prokurorisë Publike, ai propozon që të bisedohet edhe për regjistrimin e popullsisë si dhe për Kodin Zgjedhor. Ftesa u dërgua tek Mickoski, Ahmeti dhe Sela, kurse takimi është paraparë të mbahet të premten në Klubin e Deputeteve.

Klan Macedonia