eric_k._shinsekiSekretari i Departamentit të Vetaranëve në Shtetet e Bashkuara, Eric Shinseki, ka dhënë sot dorëheqjen nga detyra.

Këtë e komunikoi personalisht presidenti Barak Obama, i cili tha se e kishte pranuar dorëheqjen. Ky akt i Shinsekit është reagim pas publikimit të një raporti hetimor paraprak të inicuar nga vetë Departamenti që ai drejtonte. Sipas dokumentit, në një institucion shëndetësor për veteranët në Feniks të Arizonës, atyre iu ishte dashur mesatarisht 115 ditë pritje për caktimin e ditës së vizitës mjeksore. Janë të paktën 1700 persona të tillë që nuk janë regjistruar sipas procedurave, thekson ky raport. Ish-sekretari Shinseki para se të jepte dorëheqjen, ndërmori disa masa urgjente, mes të cilave pushimin imediat nga puna të drejtuesve kryesorë të spitalit në Feniks. Hetimi ka zbuluar edhe një sërë shkeljesh të tjera, që ose kanë ndikuar në shëndetin e veteranëve, ose në vdekjen e tyre të parakohshme.

Shinseki e mbante këtë detyrë që prej 21 janarit 2009, kur Obama sapo kishte nisur mandatin e tij të parë presidencial. Ish-sekretari kishte shërbyer më herët deri në detyrën e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura amerikane.

Tv Klan