Erando Muçollari tregoi në emisionin investigativ “Stop” se shoqëria përmbarimore “Star” i ka bllokuar pagën, për llogari të një banke të nivelit të dytë.

“Iu drejtova emisionit “Stop”, sepse nga zyra e përmbarimit më ka ardhur një letër, që pretendohet se unë e kam firmosur, por unë nuk kam firmosur fare dhe nuk jam në dijeni. Më kanë bllokuar lekët dhe çdo gjë. Ndërkohë që unë nuk jam fare në dijeni të kësaj gjëje!”,

u shpreh i shqetësuar denoncuesi.

Ai rezulton dorëzanë për një kredi në emër të qytetarit Alban Shkalla, të cilin e njeh vetëm nëpërmjet një miku të përbashkët.

“Them mos ma ka marrë kartën (e identitetit), mos më ka rënë, apo ma ka marrë ai… Nuk e di, s’po i jap dum si e ka gjetur kartën ai”,

shpjegoi Erando.

Por rasti i tij nuk është i vetmi. Gazetarja e emisionit “Stop” u përball në zyrat e shoqërisë përmbarimore me shumë qytetarë, të cilët kanë të njëjtin problem.

Qytetarja: Bravo! Bravo! Të lutem! Kemi që në pikë të mëngjesit.

Qytetari:

Është një lloj problemi, një lloj situate që… ty të hanksha dasmën, që i solle (emisionin Stop). Është një lloj ngatërrese, që gjeneralitetet e mia janë futur në një kredi…

Qytetarja: Që ne nuk ia kemi fare idenë, nuk e njohim personin, nuk kemi dalë dorëzanë për askënd, nuk e njohim fare këtë lloj personi.

Qytetari:

Jemi nga Elbasani. Sjellin tani letra pa fund zyra e përmbarimit, që do paguash kredinë, kur unë s’kam marr gjë…, sjellin një letër. Kërkojmë ore më sqaro, më jep që s’jam debitor, që s’jam unë, kërkoj informacion, të lutem më jep informacion, që unë… po prit se do të sqarojmë, do marr informacion dhe ka 6 muaj.

Gazetarja komunikoi me një punonjës të shoqërisë “Star”,  i cili u shpreh se veprimet janë ndërmarrë në bazë të dokumentacioneve që ka dorëzuar banka.

Punonjësi i “Star”:

Kjo është kontrata e kredisë që ka ardhur nga banka. Bëhet fjalë për një kontratë kredie të datës 04.07.2007. Po ta shikosh janë këto palë që kanë firmosur, Erando Mucollari.

Gazetarja: Që është dorëzani.

Punonjësi i i “Star”:

Për vlerën 1 milionë lekë të reja. Tani, ne kontrata na vjen nga banka me të gjitha firmat.

Gazetarja: Me sy të lirë, nuk ka të bëjë fare as emri e as mbiemri, domethënë kaligrafia e shkrimit.

Punonjësi i i “Star”:

Edhe unë e pashë, por çfarë ndodh? Kjo është një kontratë kredie që është bërë me një institucion, me një individ. Tani, që ta vërtetojmë që nuk është ky, që nuk është shkrimi i tij, duhet që patjetër të shkojë në gjykatë. I është hequr sekuestro sot.

Gazetarja: I është hequr, për çfarë arsye?

Punonjësi i “Star”:

Po i është hequr, pra u bë gjithë kjo edhe …

Pra, pas interesimit të emisionit investigativ “Stop” shoqëria i zhbllokoi pagën qytetarit Erando Muçollari, por çështja duhet të shkojë në gjykatë për të provuar që nuk ka firmosur ai si dorëzanë për kredinë në fjalë./

tvklan.al