BMP: Duhet të certifikohen nga kontabilistë të miratuar

Bizneset duhet të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve pasqyrat financiare të vitit 2020 brenda këtij muaji, por rregullat për miratimin e tyre nga ekspertët kanë ndryshuar.

Dritan Fino, kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike u bën thirrje sipërmarrjeve që certifikimi i bilanceve të bëhet vetëm nga kontabilistët e miratuar ose audituesit ligjorë, në të kundërt pasqyrat financiare nuk do të kenë vlerë ligjore, dhe tatimet nuk duhet t’i njohin ato.

“Bizneset duhet të kontrollojnë nëse eksperti kontabël rezulton në regjistrin e ekspertëve të miratuar. Në total pas verifikimeve që kemi bërë, në përputhje me ligjin janë 342 kontabilistë që mund të certifikojnë këto pasqyra”.

Bordi i Mbikëqyrjes Publike prej 2 vjetësh ka nisur verifikimin e profesioneve të ekspertëve kontabël, ndërsa deri tani janë penalizuar 37 auditues, të cilët përbëjnë 15% të këtij tregu. Certifikimi i bilanceve nga kontabilistë cilësorë është i rëndësishëm si për luftën ndaj evazionit edhe për rrezikun e pastrimit të parave.

“Është ajo historia që dorëzohet bilanc tjetër, por kompanitë kanë 2 ose 3 bilance. Ne kemi ndëshkuar pas kontrolleve të bëra shumë ekspertë për shkak të shkeljeve që kemi konstatuar”.

Bordi i Mbikëqyrjes Publike është duke punuar edhe me “vettimin” e kontabilistëve që janë pjesë e regjistrit publik të sistemit të drejtësisë, nëse ata përmbushin kriteret ligjore dhe japin vlerësime sipas standardeve në çështje që janë nën hetim apo gjykim nga drejtësia.

Tv Klan