4 ditë pas vrasjes së Haxhi Baçinozit pranë kodrave të Liqenit Artificial të Tiranës është dorëzuar në polici autori Islam Mylka. 61-vjeçari është paraqitur në policinë e kryeqytetit rreth orës 19:30 të së mërkurës, i shoqëruar nga avokati i tij. Vetëdorëzimi, sipas njoftimit të policisë, është bërë për shkak të trysnisë së bluve dhe negociatave me mbrojtësin ligjor.

Mylka, gjatë marrjes paraprake në pyetje, ka shprehur pendesë për krimin, por ka sqaruar se është fyer dhe goditur nga viktima. Ai ka pretenduar se vrasja nuk ishte e paramenduar dhe se mbante armë me vete për shkak të kërcënimeve që viktima i bënte atij dhe familjarëve për një borxh rreth 46 mijë euro, të pakthyer.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e të shtunës, kur viktima kishte dalë me djalin e tij për të vrapuar. Në këtë kohë, ai është ndeshur me autorin, ku edhe kanë nisur të debatojnë. Pas Mylka ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me tre plumba Baçinozin në sy të djalit të tij 20-vjeçar, duke e lënë të vdekur në vend. Ata kishin qenë ortakë në një biznes, i cili kishte falimentuar dhe borxhi ishte njohur nga ana Mylkës, por që prej 14 vitesh ende nuk ia kishte kthyer.

Tv Klan