Tekniku 61-vjeçar ka firmosur me verdhëjeshilët deri në fund të 2026, zotohet për suksese

Në prezantimin e tij si trajneri i ri i Brazilit, Dorival Junior u zotua se do të rikthejë rezultatet pozitive pas një serie dështimesh në kualifikueset e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026. Ish-trajneri i Sao Paulos ka firmosur një kontratë deri në dhjetor 2026 dhe pason Fernando Diniz.

“Futbolli është shumë dinamik! Parajsa dhe ferri janë gjithmonë vetëm një hap larg. Ndryshimet ndodhin shumë shpejt! Gjithçka që ndodh këtu në Brazil, mund të mos jetë një muaj më pas. E rëndësishme është që të përqendrohemi më shumë, të përgatitemi më shumë dhe të jemi më të vendosur. Brazili duhet të mësojë se si të luajë pa Neymar dhe të kuptojë se ai është i dëmtuar tani. Por ne duhet të kujtohemi se kemi një nga tre lojtarët më të mirë në botë për momentin. E këtë duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht!”

Pesë herë kampionët e botës kanë kaluar një periudhë të trazuar që pas eliminimit në çerekfinale nga Kupa e Botës në 2022. Pas eliminimit nga Kroacia pas gjuajtjes së penalltive, nga stoli iku Tite. Dorival u kthye në kandidatin kryesor, pasi italiani Carlo Ancelotti zgjati kontratën e tij me Real Madridin. Ndeshja e parë e teknikut në krye te verdhëjeshilëve do të jetë miqësorja kundër Anglisë më 23 mars.

Klan News