Verdhezinjtë zyrtarizojnë Haller nga Ajax: Mezi pres të luaj

Sebastien Haller është pasuesi i Erling Haaland te Borusia e Dortmundit. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka firmosur një kontratë katërvjeçare në “Signal Iduna Park” duke bërë kështu hapin e madh në karrierën e tij. Për kartonin e 25-vjeçarit, Dortmund do të paguajë në arkat e Ajaksit 35 milionë Euro.

Mezi pres të ndjej mbështetjen e 80 mijë tifozëve në stadium si pjesë e familjes së Dortmund. Shpresoj se gjatë viteve të ardhshme do të arrijmë gjëra të mëdha dhe më pas do t’i festojmë ato që bashku”, u shpreh Haller për faqen zyrtare të klubit verdhezi.

Haller rikthehet kështu në Bundesligën gjermane pasi më parë ka veshur fanellën e Eintraktit të Frankfurtit, teksa në të shkuarën është aktivizuar edhe me Uest Hem në Premier League angleze. Sulmuesi bëri diferencën këtë sezon te Ajaksi, ku shënoi 47 gola në 66 paraqitje, duke kontribuar edhe me 16 asiste. Formë që tërhoqi vëmendjen e Dortmund, i cili për të arritur te firma me sulmuesit fitoi edhe garën në merkato me Bajernin e Mynihut.

Klan News