Shkëlqen Adeyemi me shokë, verdhezinjtë eliminojnë Munich 1860 nga kupa

Borussia Dortmund e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri futbollistik. Verdhezinjtë nuk hasën aspak vështirësi në duelin e Kupës së Gjermanisë, teksa mundën pastër Munich 1860 në raundin e parë të kompeticionit.

Një sfidë ku llogaritë u mbyllën që në pjesën e parë, duke nxjerr në pah urinë e Dortmund për të fituar të paktën një trofe në këtë edicion. Malen zhbllokoi sfidën në minutën e 8-të, me topin që pasi u përplas në të dy shtyllat pingule përfundoi në rrjetë, për të kaluar në avantazh Dortmundin.

Rruga për golin e dytë ishte një manual futbolli për të gjithë, me Rojs që shërbeu për Belingam, i cili e kishte fare të lehtë të shënonte për 2-0.

Pak minuta më pas, skenën e mori sulmuesi i transferuar në këtë merkato verore, Karim Adejemi. Gjermani i blerë për të zëvendësuar Haaland bëri mjaft mirë tek goli i 3-0, kjo falë edhe ndërhyrjes jo shumë të mirë të portierit, që dështoi për të ndalur goditjen e 20-vjeçarit.

Klan News