Dy ministra ose ish-ministra kanë rënë në përgjimet e dosjes “339/1” dhe emrat pritet të dalin së shpejti në publik. Të paktën kështu ka deklaruar analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Opinion”, në Tv Klan. Ai u shpreh se këta dy ministra ose ish-ministra janë përgjuar duke komunikuar në telefon me persona të dyshimtë.

Vangjeli ka folur edhe për një dosje tjetër, atë të Maminasit, ku u kapën 613 kilogramë kokainë. Lidhur me këtë dosje, analisti Lorenc Vangjeli deklaroi se janë të përfshirë disa ish-deputetë demokratë.

Lorenc Vangjeli: Do dëgjosh që në këtë dosje dalin emrat e dy ministrave, një në qarkun e Durrësit dhe një tjetër.

Blendi Fevziu: Ministër aktual?

Lorenc Vangjeli: Ministër ose ish-ministër po them për momentin.

Blendi Fevziu: Por çfarë bëjnë këta?

Lorenc Vangjeli: Flasin dhe bisedojnë me personazhe të cilët kanë në karrierën e tyre gjëra të tjera. Ka një dosje tjetër…

Blendi Fevziu: 184?

Lorenc Vangjeli: Jo jo, lëre atë, është një tjetër, ca më e rëndë akoma, peshon shumë, 613 kg, janë kokainë ato. Në të cilat shumë shpejt ndoshta do dëgjosh që atje do të përmendet një gjysmë duzine me ish-deputetë të Partisë Demokratike. Duzina është 12. E gjitha kjo histori ka arritur tani në pikën që ka dalë në publik. Dhe për fat të mirë ky lloj mikrobi është i tillë që rritet në lagështirë edhe në fushatë, apo edhe në errësirë dhe ngordh kur del në dritë të diellit. Kjo është historia. Prokuroria ka dështuar. /tvklan.al