Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji.

Ai u gjet fajtor edhe nga treshja në Shkallë të Dytë për kallëzim të rremë në bashkëpunim ne lidhje me çështjen e njohur si dosja “Babale”.

Dënimet mbetën në fuqi edhe për gazetarin Jetmir Olldashi, i cili u detyrua të kryente 100 orë punë në interes publik, si dhe për Albert Veliun e Fredi Alizotin.

Të tre, sipas Prokurorisë së Tiranës kanë sajuar një audio-përgjim për të përfshirë vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e kanabisit nga Vlora në Itali.

Deputeti Salianji e konsideroi veten të dënuarin e parë politik pas 3 dekadash, me prova të fabrikuara.

“Unë kam bërë një shërbim të madh për interesin publik dhe do ta bëj në çdo formë dhe mënyrë, sido që të jetë. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme, jam i dënuari i parë politik pas 30 vitesh do ta bëj nga burgu”, tha Salianji.

Salianji paralajmëroi se edhe duke qenë në qeli do t’u përgjigjet të gjithë atyre që sipas tij janë përfshirë në vendimin e marre nga gjykata.

“Do ta bëj këtë betejë. Ky është akti i parë. Në të ardhmen do të keni shumë procese të tjera, procese “mamale” tani jo “babale” dhe ta shohin si do të shkojë historia në të ardhmen”, tha Salianji.

Vendimi i Apelit dhënë këtë të enjte është i formës së prerë dhe në bazë nenit 71, pika 2, germa Dh e Kushtetutës, kur deputeti dënohet në këtë forme, ai humbet mandatin.

Tv Klan