Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg. Ishte gjykata e Apelit që la në fuqi vendimin e shkallës së parë për të dënuar me burg Salianjin.

Deputeti i Partisë Demokratike cilësohet fajtor për kallëzim të rremë për çështjen “Babale”. Pas vendimit, Salianji u shfaq i tensionuar në ambientet e Gjykatës.

Salianji tha se është politikani i parë që dënohet me burg politik ndërsa akuzoi gjykatën se u dënua me prova të fabrikuara nga mazhoranca.

Deputeti i PD-së tregoi gatishmërinë e tij për të vuajtur dënimin.

Çështja e njohur publikisht si “Babalja” ndodhi më 14 Maj të vitit 2018. Nga selia e PD u denoncua një “audio-përgjim ku pretendohej se implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”.

Gjykata e shkallës së parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë 4 të pandehurit, Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi.

Klan News