Organi i akuzës, asnjë informacion për fatin e saj

U publikua me shumë bujë se pas dy vjet hetimesh dosja në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për kontratat e lobimit do të shkonte më në fund në gjykatë.

Dy nga tre prokurorët i deklaruan të mbyllura hetimet për Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike dhe vunë firmën në dokumentin që ia delegonte çështjen gjykatës. Por kundërshtimi i prokurorit të tretë e bllokoi atë.

Dosja në ngarkim të kryedemokratit Lulzim Basha dhe dy zartarëve të lartë të kësaj partie të akuzuar në lidhje me kontrata e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka përfunduar ende në gjykatë. Dy javë më parë, prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha mbyllen hetimet vetëm për akuzën e falsifikimit të formularëve duke dorëzuar dosjen në gjykatë, por ky dokument nuk u firmos nga prokurori tjetër Kolë Hysenaj.

Prokuroria e Tiranës nuk jep shpjegime se çfarë po bëhet me dosjen, teksa Partia Demokratike e ka akuzuar atë se është vënë në shërbim të politikës.

Prokurori Kol Hysenaj ka kërkuar që hetimet të vijojnë deri në marrjen në pyetje të shtetasit amerikan Nik Muzin, i cili është personi që ka përfituar shumat e parave për të lobuar për interes të Partisë Demokratike në Uashington dhe dyshohet se ka marrë 650 mijë dollarë nga kompania me pronarë ruse, Biniata Trade.

Demokratët kanë mohuar çdo lidhje me Biniata Trade, ndërsa dy prokurorët Tako e Karanxha i pushuan hetimet për pastrim parash dhe firmosën vetëm për akuzën e falsifikimit të formularëve, në lidhje me deklarimet e selisë blu për shpenzimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Zvarritja e dosjes në Prokurorinë e Tiranës ka shtuar paqartësinë nëse ajo do të dërgohet vetëm me këtë akuzë apo do të përfshihet edhe akuza për të cilën nisën fillimisht hetimet, pas shkrimit të revistës amerikane “Mother Johnes”.

Tv Klan