Prokuroria dorëzon dosjen ditën e fundit të afatit

30 ditë pasi qëndroi e bllokuar në prokurori, dosja në ngarkim të numrit një të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të partisë së tij, në lidhje me kontratat e lobimit, është dorëzuar në gjykatë. Dosja solli përplasje në Prokurorinë e Tiranës, mes prokurorëve Ervin Kranxha, Gjergji Tako nga njëra anë dhe Kolë Hysenajt nga ana tjetër.

Prokurorët Karanxha e Tako mbyllën hetimet më 7 Nëntor të këtij viti, në ngarkim të Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishi vetëm për  akuzën e falsifikimit të formularëve, duke rrëzuar akuzën e pastrimit të parave, për të cilën nisën hetimet dy vjet më parë, pas një shkrimi të revistës amerikane Mother Jones.

Në shkrim ngriheshin dyshime se 650 mijë dollarë i ishin paguar Nikolas Muzin nga kompania Binata Trade, një kompani me pronarë rusë, për llogari të Partisë Demokratike.

Prokurori Kolë Hysenaj nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve pa u marrë në pyetje shtetasi amerikan Nikola Muzin. Për zgjidhjen e kësaj situatë ndërhyri drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, që ka udhëzuar përmes një shkrese prokurorët që ta marrin në pyetje Muzin.

Ajo i ka kërkuar po ashtu gjykatës zëvendësimin e prokurorit Ervin Karanxha dhe të vlerësojë disa vërejtje të saj në lidhje me hetimin. Por asgjë nuk ndryshoi dhe dosja u dorëzua në gjykatë në limitet e afatit 30 ditor, ashtu siç vendosën dy prokurorët. 

Tashmë do të jetë gjyqtari paraprak që do të zgjidhet me short brenda 10 ditësh, ai që do të përcaktojë nëse do të nisë procesi gjyqësor, do ta kthejë për plotësim të hetimeve apo do ta pushojë çështjen.

Tv Klan