Ardian dhe Florenc Çapja akuzohen për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 2012

Vrasja e Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 Gusht të 2012-s, ka kaluar në duar e prokurorëve të SPAK. Të dyshuar për këtë çështje janë Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Ervis Bardhin. Gjykata e Elbasanit ka shpallur moskompetencën për të vijuar gjykimin e kësaj çështje pasi nga prokuroria është ngritur edhe akuza e grupit të strukturuar kriminal. Ardian Çapja vazhdon të marrë mjekim në spitalin e burgut pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale në QSUT. 53-vjeçari u arrestua në 29 Mars gjatë operacionit “Krasta 2021”, ndërsa nipi i tij Florenc Çapja është shpallur në kërkim.

Gjykata e Posaçme do të rivlerësojë masën e sigurisë për të dyshuarit për vrasjen e babë e bir. 53-vjeçari Ardian Çapja i ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Elbasanit. Kjo dosje është rihapur në 2018 pas disa vitesh pezullim pasi grupi hetimor gjeti gjurmën e gishtit të Ervis Bardhit në targën e automjete që u përdor nga autorët për t’u larguar pas vrasje së babë e bir.

Rreth një vit më vonë Bardhi është paraqitur në komisariatin e policisë së Elbasanit dhe ka pranuar të rrëfejë gjithçka që dinte para hetuesve duke marrë edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. 

Bardhi ka pranuar se ka vrarë më 4 plumba në kokë Gentian Beqirin për llogari të Çapjave dhe si shpërblim ka marrë 50 mijë euro. Sipas prokurorisë së Elbasanit deklarimet e tij përputhen me provat dhe procesverbalet e mbajtura nga hetuesin në kohën kur u vranë Nezir dhe Gentian Beqirit.  

Çapjat dyshohet se kanë urdhëruar vrasjen e Beqirit pasi ky i fundit po gjykohej për vrasjen e Sokol Çapjas ngjarje e ndodhur në 2005-n. Gjatë 2012 policia e Elbasanit e kishte shoqëruar Florenc Çapjan, por ky i fundit kishte një alibi të fortë pasi kishte qenë jashtë Shqipërisë natën e vrasjes.

Klan News