Pas lirimit nga burgu të Vladimir Gjutës dhe pushimit të çështjes ndaj tij nga Krimet e Rënda, dosja hetimore është tërhequr në Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim.

Të gjitha aktet dhe provat që janë pjesë e këtij hetimi do të rivlerësohen për të parë nëse vendimmarrja për pushimin e çështjes ka qenë e bazuar në kodin e procedurës penale. Vladimir Gjuta u akuzua nga prokuroria si organizator dhe autor i vendosjes së një sasi eksplozivi në farmacinë dhe makinën e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Fillimisht u arrestuan 4 persona, ndërsa Vladimr Gjuta dhe nipi i tij Baftjar Bruka u shpallën në kërkim. Gjuta u arrestua në tunelin e Kalimashit në qershor të vitit të kaluar, ndërsa Bruka u ekstradua nga Norvegjia disa muaj më vonë. Por kur kaluan më shumë se një vit nga ngjarja, prokuroria vendosi të pushojë hetimin për mungesë provash dhe motive.

Me këtë veprim hetimet për shpërthimin në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe vendosjen e një sasi eksplozivi në makinën e tij janë kthyer në pikën zero. Prokuroria dhe policia nuk kanë asnjë të dyshuar apo shoqëruar për ato ngjarje./TV KLAN