Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha për mediat të hënën jashtë Prokurorisë ku ishte thirrur për të dhënë informacion për persona që mund të kenë lidhje me hetimin për dosjen e lobimit në SHBA, se PD dhe zyrtarët e saj nuk kanë shkelur ligjin as në Shqipëri, as në Britani dhe as në SHBA.

Dua të bëj të qartë se hetimi i hapur prej një viti e gjysmë, bëhet mbi bazën e nenit 190 mbi çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pra çështja që po hetohet, me kërkesë të PD, është nëse këto formularët janë mbushur apo jo siç duhet. Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar fuqimisht qeveria, e cila e aktivizon këtë hetim, sa herë i duhet për nevoja politike.

Kryedemokrati i kërkoi Prokurorisë të zbardhë përgjigjet e letërporosive të mbërritura nga Britania e Madhe dhe SHBA, siç tha ai para 6 muajsh.

Ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka më shumë se 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe nga Britania e Madhe, nga Skocia, të cilat vërtetojnë se as PD dhe asnjë drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj as në Shqipëri, as në SHBA dhe as në Britaninë e Madhe. Ndaj i kemi kërkuar Prokurorisë dhe ju nxis edhe ju që t’i kërkoni t’i bëjë publiket përgjigjet e ardhura nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Basha tha se me letërporositë ishte njohur vetëm sot, gjatë qëndrimit të tij në Prokurori prej pothuajse 90 minutash. /tvklan.al