Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, u paraqit në SPAK këtë të enjte, ku u pyet si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimeve në dosjen “Gërdeci”.

SPAK pyeti Berishën për një shënim mbi një faks të Ministrisë së Drejtësisë vite më parë, ku shkruhej emri i tij dhe kontaktet me Ministrinë e Drejtësisë, apo ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Në përfundim të marrjes në pyetje, Shkëlzen Berisha, i tha medias se ai nuk ka asnjë lidhje me atë shkresë dhe i kërkoi prokurorisë të hetojë se kush e ka bërë shënimin.  

“S’kam asnjë lidhje me këtë. Prokuroria duhet t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia. Ka 15 vjet që prokuroria nuk i thotë publikut kush e ka bërë atë gjënë”.

Për çështjen “Gërdeci”, SPAK ka marrë të pandehur ish-Ministrin Fatmir Mediun dhe ka pyetur më herët edhe ish-Ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçin.

Tv Klan

Shkëlzen Berisha: Jam pyetur lidhur me rrethanat e hetimit për çështjen e Gërdecit. Sigurish që nuk kisha çfarë t’i ofroja më shumë se ajo që kam deklaruar publikisht. Nuk mendoj që dijenia ime i ka dhënë ndihmë hetimit në fjalë, pasi s’kam asnjë lidhje me këtë gjë. Kam përsëritur të gjitha ato që kam deklaruar publikisht. Kam ardhur sigurisht në respektim të ligjit, si çdo qytetar. Por më bën përshtypje fakti që e njëjta prokurori, të njëjtët prokurorë e njëjta çështje, para 15 vjetësh ka deklaruar publikisht që nuk e ka parë të arsyeshme thirrjen time. Sot pas 15 vitesh e njëjta prokurori, të njëjtën prokurorë e njëjtën çështje, të njëjtat rrethana mendojnë se unë mund të kem ndonjë dijeni për rrethanat e hetimit pas 15 vjetësh.  

Cili është shpjegimi juaj në lidhje me një Memo për të cilën është thirrur edhe ish-Ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, në krye të së cilës shkruhet emri juaj? Çfarë shpjegimi i dhatë prokurorisë?

Shkëlzen Berisha: Shpjegimi është e para nuk kam asnjë lidhje me këtë. Ajo që prokuroria duhet t’i thotë publikut, t’i shpjegojë publikut, është, kush e ka bërë.

Çfarë shpjegimi dhatë ju?

Shkëlzen Berisha: Ju thashë që nuk kam asnjë lidhje me këtë. Mendoj që padiskutim prokuroria duhet t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia. Ka 15 vjet që prokuroria nuk i thotë publikut kush e ka bërë atë gjënë. Unë i thashë pa diskutim që ju duhet ta gjeni se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është një falsifikim. Pasi në origjinalin e faksit nuk ekziston asnjë e tillë.

Por ndërkohë sekretarja e ish-Ministri të Drejtësisë ka thënë para prokurorëve të Tiranë se ju ka parë të hyni në Ministrinë  e Drejtësisë në atë kohë.

Shkëlzen Berisha: Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësisë, ose të takoj miqtë e mi, ose njerëz që unë njoh, nuk do të thotë që unë marr vendime për VKM-të për punën e tyre.  Kam bërë shumë të qartë që nuk kam asnjë lloj lidhje, sepse të komunikosh nuk do të thotë as që je ortak me dikë, as që merr vendime në emër të dikujt.

Do vini prap nëse thirreni sërish në Prokurori?

Shkëlzen Berisha: Kjo është detyrim ligjor.

Sipas jush është hetuar siç duhet tragjedia e Gërdecit?

Shkëlzen Berisha: Nuk mund ta them sepse un nuk jam ekspert, as prokuror, as gjykatës. Ajo që mund të them është që është politizuar përtej çdo limiti.

A ndiheni i rrezikuar nga SPAK?

Shkëlzen Berisha: Aspak.