Prokurorja e Tiranës: Nuk e kemi çuar ende në Gjykatë

Ka shkaktuar debat dhe kaos brenda Prokurorise vendimi i dy prej tre prokurorëve që kanë hetuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Më herët, prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako vendosën të shpallin të pendehur Bashën me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

E pyetur nga ‘Birn’, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, deklaron se kjo dosje nuk është çuar ende në gjykatë. Ajo bën me dije se prokurorët Karanxha e Tako kanë përjashtuar kolegun e tyre Hysenaj nga hetimi.

Ajo thotë se për hetimin e kësaj çështje ka urdhëruar ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Imeraj deklaron se, dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetëshpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre.

Dy prokurorët kanë firmosur për akuzën ndaj Bashës, ndërsa nuk dihet qendrimi i prokurorit tjetër, Kolë Hysenaj, nëse ka qenë dakord apo jo me vendimin e kolegëve të tij.

Pas dy vite hetimesh, ka rënë akuza e prokurorisë ndaj Bashës per pastrim parash.

Prokuroria akuzon për falsifikim dokumentash edhe Arben Ristanin, që mbante postin Sekretarit të Përgjithshëm në kohën e nënshkrimit të kontratave të lobimit dhe financierin Ilir Dervishi.

Sipas prokurorisë, dokumentet që ata kanë dorëzuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shpenzimet e fushatës elektorale, janë të falsifikuar.

Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letërporosive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hetimet nisen pas një shkrimi të revistës amerikane ‘Mother Jones’, e cila hodhi dyshimin se Partia Demokratike kishte paguar 650 mijë Dollarë per lobim në SHBA kompanisë ‘Muzin Capitol Partneres’, në pronësi të shtetasit Nik Muzin, nëpërmjet  kompanisë offshore ‘Biniata Trade’, pas të cilës qëndrojnë dy biznesmenë rusë.

Nik Muzin pritet të merret në pyetje në Shtetet e Bashkuara për llogari të hetimit. Por përmes autoriteteve  amerikane ai ka kërkuar të ushtrojë të drejtën per të mos u vetë inkriminuar, sipas nenit 5 të Kushtetutës amerikane.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar prokurorëvë shqiptarë që të bëjnë të qartë nëse statusi Nikolas Muzin është si dëshmitar apo objekt i mundshëm i hetimit dhe nëse Muzin, ka apo jo të drejtë të refuzojë të dëshmojë sipas ligjit shqiptar.

Prokurorisë së Tiranës i janë dashur rreth dy vite hetime për të dalë në konkluzionin së Lulzim Basha dhe dy funksionarët e lartë të Partisë Demokratike duhen të përgjigjen para gjykatës për financimet e fushatës elektorale.

Por Kryetari Basha ka mohuar që Partia Demokratike të këtë marrë financime nga kompani apo individë rusë.

Megjithatë ai do të përballet sërish me drejtësinë, me të cilën u përball për herë të parë pas akuzave që u ngritën ndaj tij në vitin 2008 për Rrugën e Kombit.

Tv Klan